U.D. Presidentja Haxhiu: Dua Lipa e ka bërë Kosovën pjesë të rrëfimit të saj publik kudo ku ka qenë e pranishme
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Dua Lipa e ka bërë Kosovën pjesë të rrëfimit të saj publik kudo ku ka qenë e pranishme.
Sipas saj, Sunny Hill lindi nga kjo lidhje dhe nga dëshira e saj për të sjellë në Prishtinë artistë me të cilët ndan skenat më të mëdha të botës.
“Për artistët e rinj shqiptarë, festivali është një nga rastet e rralla për të dalë para një publiku kaq të madh dhe të larmishëm. Ndërkohë, mijëra njerëz nga vende të ndryshme udhëtojnë drejt Prishtinës pikërisht për Sunny Hill-in. Për shumë prej tyre, festivali është edhe takimi i parë i drejtpërdrejtë me Kosovën, me qytetin dhe me njerëzit e saj.
Pak ngjarje kulturore i kanë dhënë Kosovës kaq shumë jehonë jashtë vendit dhe e kanë afruar me një publik të gjerë ndërkombëtar”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar Dua Lipën dhe gjithë ekipin e Sunny Hill-it për këtë edicion si dhe ka falënderuar artistët, publikun dhe secilin që punoi në skenë e prapa saj për t’i bërë të mundura këto tri net në Prishtinë.