U.D. Presidentja Haxhiu: Dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.
“Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë ata që, me përkushtim e profesionalizëm, po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.
“Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja.
Ajo më tej ka thënë se në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.