U.D. Presidentja Haxhiu: Seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në ora 10:00
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, në konferencën e sotme për media, ka thënë se më 8 korrik, një muaj pas mbajtjes të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka shprehur mirënjohjen e saj për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, stafin e KQZ, institucionet e angazhuara për mbarëvajtjen e një procesi të rregullt pra zgjedhjet u zhvilluan në mënyrë demokratike, të qetë, duke konfirmuar edhe një herë pjekurinë e demokracisë sonë.
“Pas certifikimit të rezultateve, Kushtetuta e Republikës së Kosovës përcakton qartë se Presidenti e thërret seancën konstituive të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh. Po ashtu, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e ka sqaruar qartë se vetëm pas konstituimit të Kuvendit fillojnë të rrjedhin afatet kushtetuese që lidhen me procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe siç e dini ato janë 60 ditë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje kushtetuese ndërmjet konstituimit të Kuvendit dhe procedurës së zgjedhjes së Presidentit, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se ka vlerësuar me kujdes çdo hap që është ndërmarrë gjatë këtyre javëve.
“Kam mirëpritur ftesat për takime të kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti dhe kam ndjekur nga afër përpjekjet për të arritur një marrëveshje. Duke qenë se ende nuk ekziston një dakordim politik për çështjen e Presidentit, kam vendosur ta shfrytëzoj afatin që lejon Kushtetuta për t’u krijuar partive politike hapësirën e nevojshme për dialog dhe për ndërtimin e një konsensusi”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht.
“Prandaj, sot ju njoftoj se seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet më 6 gusht, në ora 10:00. Deri atëherë, mbetet detyrim politik dhe institucional i subjekteve parlamentare që të vazhdojnë dialogun. Dialogun ndërmjet tyre askush nuk duhet ta shoh si një shenjë dobësie, por si dëshmi e përgjegjësisë demokratike”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje ka thënë se në një demokraci parlamentare, përgjegjësia për ndërtimin e institucioneve nuk është ekskluzivitet i dikujt, por u takon të gjithëve, duke shtuar tutje se marrëveshja kërkon gatishmëri dhe seriozitet nga të gjitha palët.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, palët duhet të shprehin vullnet për dialog dhe thirrjeve e ofertave do të duhej t’i përgjigjeshin me përgjegjësinë më të lartë.
Ajo më tej ka thënë se dialogu nuk mund të jetë një proces njëkahësh dhe as përgjegjësia nuk mund të jetë e njëanshme.
“Prandaj, bëj thirrje që, në ditët në vijim, të intensifikohet komunikimi, të dëshmohet pjekuri politike sepse qytetarët nga të gjithë ne presin zgjidhje. Ata presin institucione funksionale dhe presin që përgjegjësia shtetërore të vendoset mbi dallimet politike. Pra, qytetarët presin zgjidhje dhe jo zgjedhje. Natyrisht, jam e vetëdijshme për sfidat e brendshme të subjekteve politike, por po ashtu duhet të kemi të qartë edhe afatet kushtetuese në anën tjetër që nuk presin. Qytetarët kanë votuar që institucionet të krijohen, të funksionalizohen dhe të punojmë për ta”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se vullneti i qytetarëve duhet të manifestohet në institucione të reja e legjitime dhe se Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i inateve apo bllokadave.
“Shmangia e një bllokade të zgjatur institucionale pra është përgjegjësi e të gjithëve. Po ashtu, shmangia e zgjedhjeve të parakohshme duhet të jetë një objektiv i përbashkët, sepse qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe presin që ai të materializohet në institucione funksionale dhe jo në një cikël të ri paqartësie politike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë:ENSR