U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë sot në shënimin e 20 vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në shënimin e 20 vjetorit të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Me këtë rast, në fjalën e saj para të pranishmëve U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se ky përvjetor, sigurisht që është një moment reflektimi mbi rrugën që kemi bërë si shtet dhe mbi përgjegjësinë që kemi për rrugën që ende e kemi përpara.
“Historia shkruhet edhe nga mënyra se si i mbron parimet mbi të cilat është ndërtuar. Dhe ndër këto parime, padyshim që janë integriteti, përgjegjësia por edhe barazia para ligjit”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, njëzet vjet janë dëshmi e pjekurisë së një institucioni, duke shtuar tutje se kur misioni është mbrojtja e interesit publik, çdo vit është një provë më vete.
“Sepse korrupsioni nuk pushon kurrë. Ai ndryshon formë, kërkon rrugë të reja dhe përpiqet të depërtojë aty ku institucionet dobësohen dhe ku vigjilenca zbehet. Prandaj, lufta kundër korrupsionit nuk është një betejë që fitohet njëherë e përgjithmonë. Është një përpjekje e vazhdueshme për ta mbrojtur besimin e qytetarëve te shteti, pra te Republika jonë. Në raporte dhe statistika, korrupsioni matet me shifra. Por qytetarët e njohin ndryshe. Ata e njohin si tenderin që fitohet para se të hapet. Si lejen që sigurohet me një telefonatë. Si konkursin ku fituesi dihet para se të dorëzohet aplikimi i parë. Si derën që hapet për dikë vetëm sepse e njeh dikë në një institucion”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka thënë se korrupsioni nuk vjedh vetëm paranë publike, ai vjedh mundësinë, vjedh drejtësinë, vjedh edhe besimin.
“Dhe kur qytetarët humbin besimin se ligji vlen njësoj për të gjithë, humbet shumë më tepër sesa një procedurë administrative. Pra, humbet ajo që për ne është shumë e rëndësishme, e që është besimi i qytetarëve në institucionet e Republikës së Kosovës, në institucionet e shtetit të vet. Prandaj, çdo akt kundër korrupsionit është një akt në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, çdo rast i parandaluar është një padrejtësi më pak, duke shtuar tutje se çdo zyrtar që zgjedh integritetin mbi interesin personal e forcon shtetin tonë më shumë sesa mund ta bëjë çfarëdo deklarate publike apo politike.
Për këtë arsye, sipas saj, puna e Agjencisë ka rëndësi që shkon përtej procedurave.
“Pra, ju nuk administroni vetëm deklarime pasurie. Ju nuk trajtoni vetëm raste të konfliktit të interesit apo nuk mbroni vetëm sinjalizues. Ju mbroni një parim themelor të Republikës sonë: se askush nuk është mbi ligjin dhe se pushteti publik është gjithmonë përgjegjësi dhe kurrë privilegj. Për këtë mision meritoni respektin dhe mirënjohjen e Republikës së Kosovës. Mirënjohje për të gjithë ata që, përgjatë këtyre dy dekadave, kanë shërbyer në këtë institucion me profesionalizëm, me paanshmëri dhe me guxim”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se në qoftë se kemi një institucion ku zyrtarët nuk dyshohen për ndonjë ndikim, për ndonjë anshmëri është pikërisht Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, gjë për të cilën edhe i ka përgëzuar.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, besueshmëria, pra nuk ndërtohet me deklarata, por me vendime të drejta, me integritet të përditshëm, me qëndrueshmëri edhe atëherë kur presioni është më i madh.
“Shteti i së drejtës nuk ndërtohet, pra vetëm nga ato seancat gjyqësore apo nga sallat e gjykatave, por ndërtohet në çdo institucion që vendos interesin publik mbi atë privat. Ndërtohet në çdo procedurë që duhet të jetë transparente. Në çdo konflikt interesi që duhet ta parandalojmë edhe vetë si zyrtarë. Dhe, në çdo pasuri që deklarohet me ndershmëri. Në çdo sinjalizues që ka guximin të flasë dhe që gjen një shtet që e mbron dhe jo që i hakmerret. Madje, më kujtohet edhe në ndryshimet që kemi bërë në kodin penal, e kemi adresuar edhe veprën penale të hakmarrjes ndaj sinjalizuesve dhe ajo duhet të zbatohet nga institucionet tona të drejtësisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, reformat që janë ndërmarrë për forcimin e mandatit të Agjencisë dhe për luftimin e pasurisë së pajustifikueshme janë dëshmia se Republika e Kosovës nuk do të pranojë që korrupsioni të trajtohet si normalitet.
“Unë mezi pres që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituohet e që Ministria e Drejtësisë ta procedojë Projekligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar, sepse besoj që është një ligj shumë i rëndësishëm që do të vlerësojë deklarimin e pasurisë dhe pasurinë pra të zyrtarëve në Republikën e Kosovës”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Sepse, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, nuk mund të ketë shtet të fortë me institucione të dobëta, nuk mund të ketë demokraci të qëndrueshme pa llogaridhënie, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik aty ku mungon besimi te drejtësia dhe se nuk mund të ketë integrim evropian pa integritet institucional.
“Ju e dini shumë mirë që rruga jonë drejt Bashkimit Evropian kalon përmes sundimit të ligjit. Por lufta kundër korrupsionit nuk bëhet vetëm për të marrë një vlerësim pozitiv, pra në një raport. Ajo bëhet sepse qytetarët e Republikës tonë meritojnë një shtet që funksionon drejt. Një shtet ku mundësitë nuk blihen. Ku drejtësia nuk negociohet. Ku ligji nuk zgjedh se kë të mbrojë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Si Ushtruese e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës dhe si Kryetare e Kuvendit, ka thënë se institucionet e Republikës do të mbeten të palëkundura në mbështetjen e këtij institucioni të rëndësishëm dhe në mbështetjen që ka misioni juaj.
“Pavarësia juaj duhet të mbrohet. Integriteti juaj duhet të respektohet. Kapacitetet tuaja duhet të fuqizohen. Sepse kur mbrohet Agjencia që lufton korrupsionin, në të vërtetë mbrohet vetë Republika e Kosovës. Njëzet vjet më parë, deklarimi i pasurisë ishte një risi. Sot ai është standard. Edhe ne që deklarojmë pasurinë për çdo vit e kuptojmë çfarë sfide është që të jemi sa më të kujdesshëm në deklarimet tona dhe shpesh edhe kemi kontakte të vazhdueshme me stafin e zyrtarët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Por, të jeni të bindur që kjo qasje e jona tek Agjencia është pikërisht që të mos bëjmë ndonjë gabim në deklarimet tona të pasurisë”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë:ENSR