U.D. Presidentja Haxhiu: Mohimi i gjenocidit e zhbën punën e drejtësisë dhe e mban të pranishme mendësinë që i parapriu krimit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sonte në aktivitetin përkujtimor në 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se “Never Again”, ishte zotimi i Evropës dhe i bashkësisë ndërkombëtare pas Holokaustit, krimit që tregoi deri ku mund të arrijë një shtet kur urrejtjen e kthen në ideologji dhe shfarosjen në politikë.
Sipas saj, pesëdhjetë vjet më vonë, ai zotim u vu në provë dhe dështoi në Srebrenicë.
“Sot, në 31-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Republika e Kosovës i nderon me përulje viktimat e Srebrenicës dhe qëndron pranë familjeve që prej më shumë se tri dekadash kërkojnë drejtësi, të vërtetën dhe paqen që u është mohuar. Ne, në Kosovë, e dimë çfarë do të thotë të dëbohesh nga shtëpia, të humbësh njerëzit e tu, të presësh lajme nga varrezat masive dhe të jetosh pa e ditur se ku ndodhen më të dashurit. E dimë po ashtu çfarë peshe ka ndërhyrja me kohë e bashkësisë ndërkombëtare për ta ndaluar fushatën e spastrimit etnik, gjenocidit dhe vrasjeve”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Pikërisht për këtë arsye, sipas U.D. Presidentes Haxhiu, Srebrenica mbetet një nga dështimet më të rënda të mbrojtjes ndërkombëtare.
Ajo tha se atje u shkel çdo garanci që mund ta bënte njeriun të besonte se ishte i mbrojtur, që nga prania e Kombeve të Bashkuara deri te fjala e dhënë.
“Srebrenica ishte shpallur zonë e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara, me zotimin se civilët do të ishin të sigurt dhe se prania ndërkombëtare do t’i mbronte nga sulmi. Në Potoçari, mijëra prej tyre kërkuan strehë pranë bazës së paqeruajtësve të OKB-së. Por mbrojtja e premtuar dështoi pikërisht atëherë kur duhej të vlente më së shumti. Pas pushtimit të pikave të batalionit holandez të Kombeve të Bashkuara, forcat serbe morën, në disa raste edhe nën kërcënimin e armëve, uniforma, pajisje dhe automjete të paqeruajtësve, të cilat më pas i përdorën për të krijuar përshtypjen e rreme se dorëzimi ishte i sigurt. Në korrikun e vitit 1995, vendi ku njerëzit kishin kërkuar shpëtim u bë skena e një prej krimeve më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, krimi në Srebrenicë u mbështet në shkatërrimin e çdo orientimi moral që njeriu ka për të dalluar sigurinë nga rreziku.
“Autorët e gjenocidit nuk u mjaftuan me kapjen dhe vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjak, por e kthyen edhe lidhjen më të afërt njerëzore siç është besimi i birit tek i ati, në një kurth vdekjeje. Mijëra burra dhe djem po përpiqeshin të arrinin Tuzllën përmes pyjeve, me shpresën se ajo ishte rruga e vetme drejt shpëtimit. Forcat serbe i detyruan burrat e zënë rob t’i thërrasin bijtë, etërit dhe të afërmit e tyre të dalin nga pylli, duke u thënë se do të ishin të sigurt. Disa prej atyre që u dorëzuan u vranë menjëherë, ndërsa mijëra të tjerë u mbajtën robër, u dërguan në vende të përgatitura për ekzekutim dhe u vranë në mënyrë sistematike”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se pas vrasjeve, strukturat ushtarake dhe policore serbe të Bosnjës zhvendosën trupat nga varrezat parësore në varreza dytësore, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, përpjekja për ta fshehur të vërtetën vazhdoi më pas përmes mohimit të gjenocidit dhe relativizimit të përgjegjësisë së autorëve, duke shtuar tutje se njësoj, kështu kishte ndodhur edhe në Kosovë gjatë periudhës së luftës, po i njëjti shtet, Serbia.
“Mohimi i gjenocidit dhe ngritja në piedestal e kriminelëve të dënuar të luftës nuk e cenojnë vetëm kujtesën e viktimave. Ato e zhbëjnë punën e drejtësisë dhe e mbajnë të pranishme mendësinë që i parapriu krimit. Ratko Mladiqi dhe Radovan Karaxhiqi u dënuan me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Por kur faktet e vërtetuara nga gjykatat ndërkombëtare paraqiten si çështje mendimi, hapet rruga që kriminelët të kthehen në shembuj për brezat e rinj. Kosova e njeh mirë këtë rrezik. Ne e dimë se çfarë sjell propaganda kur bëhet pjesë e politikës shtetërore”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu tutje tha se Republika e Kosovës qëndron pranë Bosnjës dhe Hercegovinës, të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, e mbështesim të drejtën e tyre për drejtësi, për kujtesë dhe për një të ardhme në të cilën viktimat dhe familjet e tyre nuk detyrohen ta dëshmojnë pafundësisht krimin, humbjen dhe të vërtetën që gjykatat tashmë e kanë vërtetuar.
“Pa të vërtetën që Nënat e Srebrenicës e kanë mbrojtur për më shumë se tri dekada, nuk mund të ketë as drejtësi e as paqe. Drejtësia ndërkombëtare, për krimet e kryera në Srebrenicë i ka dënuar tetëmbëdhjetë persona. Ajo që mbetet të gjykohet sot është gatishmëria e shoqërive dhe e institucioneve për t’u shkëputur nga trashëgimia e krimit. Kur kriminelët e dënuar paraqiten si heronj, nuk shtrembërohet vetëm e kaluara. U dërgohet brezave të rinj mesazhi se krimi mund të arsyetohet, se viktima mund të harrohet dhe se përgjegjësia mund të kthehet në krenari. Kjo është e papranueshme për çdo shoqëri që synon paqe dhe demokraci”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.