Speech
Vjosa Osmani  ·  2026-07-03 00:00

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të FSK-së: Duhet të shërbeni me krenari dhe me përulje para sakrificës së atyre që e bënë të mundur Republikën e Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, U.D. Presidentja Haxhiu tha se sot kam nderin të jem mes jush, në ditën kur ju, brezi i ri i oficerëve, po e mbaroni shkollimin në Akademinë e Mbrojtjes dhe po hyni në shërbim të Republikës.

“Kjo ditë u përket para së gjithash juve, kadetë të Klasës 2026. U përket familjeve tuaja, që e kanë përcjellë nga afër mundin, disiplinën dhe pritjen e këtyre viteve. I përket Akademisë, që ju ka formuar, dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi të mëdha”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Duke iu drejtuar kadetëve të gjeneratës 2026, U.D. Presidentja Haxhiu tha se me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis përgjegjësia e shërbimit si oficerë të Republikës.

“Katër vite më parë ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe me vendosmëri për t’i shërbyer atdheut. Gjatë këtyre viteve ndoqët programin e integruar akademik dhe ushtarak, duke përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht duke kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Formimi që keni marrë ju ka dhënë dije, disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë vlerë kur vihen në duart e njerëzve që dinë të gjykojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë gjithnjë me integritet. Grada do të vendoset mbi supet tuaja, por pesha e saj do të matet në karakterin tuaj”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas saj, një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdes ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe kur vendimi mund të jetë i vështirë, duke shtuar tutje se njerëzit mund ta respektojnë gradën, por e ndjekin vetëm karakterin.

“Ju po diplomoni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda, na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, me vigjilencë dhe aleanca të forta. Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe , duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit të vendit tonë, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të rendit demokratik, të lirisë dhe të sigurisë së çdo qytetari në Republikën e Kosovës”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se shërbimi juaj nis me vetëdijen se Republika nuk është dhuratë.

“Ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri, mbi sakrificën e popullit tonë dhe mbi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari mbeten përjetësisht simbol i guximit, i lirisë dhe i vendosmërisë së popullit tonë për të jetuar i lirë. Duhet të shërbeni me krenari dhe me përulje para sakrificës së atyre që e bënë të mundur Republikën e Kosovës”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se historia jonë e re është e lidhur edhe me aleatët tanë.

“Në çlirimin e Kosovës, në ndërtimin e paqes, në ngritjen e institucioneve dhe në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, Kosova ka pasur pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet mike. Për këtë mbështetje, Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse. Ruajeni besimin e qytetarëve dhe forcojeni bashkëpunimin me aleatët tanë përmes punës, disiplinës dhe standardit që do ta tregoni çdo ditë”, pohoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë tonë, janë institucione që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve dhe ky besim është kapitali ynë më i çmuar.

“Ruajeni e forcojeni edhe më tej atë, sepse besimi fitohet me profesionalizëm, por ruhet me vlerat e pazëvendësueshme: të besnikërisë, të ndershmërisë dhe të integritetit. Në këtë festë të përbashkët, ripërsëris se synimi ynë strategjik mbetet i pandryshuar. Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik i Republikës së Kosovës. Ky synim lidhet me sigurinë tonë por edhe me orientimin tonë të qartë demokratik, për paqe, sundim të ligjit dhe siguri. Kam bindjen se pikërisht brezi juaj do të jetë ndër brezat që do ta afrojë Kosovën edhe më pranë këtij qëllimi historik, dhe besoj që shumë prej jush do ta kenë privilegjin ta përfaqësojnë Republikën si oficerë të forcave të shtetit më të ri, anëtar të NATO-s”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu derisa iu drejtua familjarëve të kadetëve, tha se kjo ditë u përket edhe juve sikurse edhe gjithë neve, ju keni qenë mbështetja e tyre në çdo hap të këtij rrugëtimi për katër vite, keni ndarë me ta sfidat, mungesat, sakrificat dhe gëzimin e çdo suksesi.

“Në emër të institucioneve, qytetarëve dhe forcave tona, ju falënderoj për frymëzimin dhe edukimin që u keni dhënë, për vlerat që u keni përcjellë dhe për besimin që keni pasur tek ata. Sot, bijtë dhe bijat tuaja hyjnë në shërbim të Republikës si oficerë të rinj, me detyrë ndaj qytetarëve, mbrojtjes së vendit dhe paqes. Një falënderim i veçantë shkon edhe për profesorët, për instruktorët, personelin e Akademisë së Mbrojtjes. Cilësia e punës suaj shihet tek oficerët që dalin nga kjo Akademi, te dija që ata bartin, te disiplina që kanë fituar dhe te karakteri që kanë formuar, e ky është një prej investimeve më të rëndësishme që mund t’i bëhet sigurisë së Republikës së Kosovës”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu tha se uniforma që vishni nuk ju ndan nga qytetari, ju lidh më shumë me të.

Sepse çdo gradë në FSK ka kuptim vetëm kur vihet në shërbim të Republikës dhe në shërbim të qytetarëve të saj.

“Nga sot, çdo vendim që do të merrni do të bartë përgjegjësi, çdo urdhër që do të jepni do të ndikojë në jetën e qytetarëve, si dhe çdo veprim i juaji do të përfaqësojë identitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikën tonë. Prandaj, shërbeni gjithmonë me nder, udhëhiqni me urtësi, veproni me integritet dhe qëndroni gjithmonë besnikë ndaj betimit që do ta bëni sot”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Në emër të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu i përgëzoi për diplomimin dhe iu uroi suksese në detyrën tejet fisnike që kanë zgjedhur.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë:ENSR