Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 2026
I nderuar Kryeministër Kurti,I nderuar Ministër Maqedonci,I nderuar Gjeneral Lejtënant Jashari,Të nderuar atashe ushtarakë, përfaqësues të NALT-it, KFOR-it dhe partnerë ndërkombëtarë,I nderuar personel i Akademisë së Mbrojtjes,Të dashur prindër dhe familjarë,Dhe mbi të gjitha, të dashur kadetë të Klasës 2026,
Sot kam nderin të jem mes jush, në ditën kur ju, brezi i ri i oficerëve, po e mbaroni shkollimin në Akademinë e Mbrojtjes dhe po hyni në shërbim të Republikës.Kjo ditë u përket para së gjithash juve, kadetë të Klasës 2026. U përket familjeve tuaja, që e kanë përcjellë nga afër mundin, disiplinën dhe pritjen e këtyre viteve. I përket Akademisë, që ju ka formuar, dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, që sot merr në radhët e saj oficerë të rinj, të përgatitur për përgjegjësi të mëdha.Të dashur kadetë dhe nga sot oficerë të rinj,
Me diplomimin tuaj përmbyllet një kapitull i rëndësishëm i formimit tuaj dhe nis përgjegjësia e shërbimit si oficerë të Republikës. Katër vite më parë ju e nisët këtë rrugëtim me ëndrra, ambicie dhe vendosmëri për t’i shërbyer atdheut.Gjatë këtyre viteve ndoqët programin e integruar akademik dhe ushtarak, duke përfituar njohuri universitare dhe njëkohësisht duke kaluar përmes edukimit, stërvitjes dhe formimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës.Formimi që keni marrë ju ka dhënë dije, disiplinë dhe një kuptim të qartë të përgjegjësisë që mban oficeri. Pajisjet moderne, teknologjia dhe standardet e reja kanë vlerë kur vihen në duart e njerëzve që dinë të gjykojnë drejt, të qëndrojnë të qetë dhe të veprojnë me integritet.Grada do të vendoset mbi supet tuaja, por pesha e saj do të matet në karakterin tuaj. Një oficer fiton besim me sjellje, me ndershmëri, me kujdes ndaj njerëzve që i besohen dhe me gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe kur vendimi është i vështirë. Njerëzit mund ta respektojnë gradën, por e ndjekin vetëm karakterin.
Ju po diplomoni në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të reja. Konfliktet, kërcënimet hibride, sulmet kibernetike, dezinformimi dhe përpjekjet për ta dobësuar një shtet nga brenda, na kujtojnë se paqja ruhet me përgatitje, vigjilencë dhe aleanca të forta.
Për këtë arsye, përgjegjësia juaj është shumë më e madhe , duke filluar nga mbrojtja e integritetit territorial, sovranitetit shtetëror, të Kushtetutës sonë, të rendit demokratik, të lirisë dhe të sigurisë së çdo qytetari të Republikës së Kosovës.
Shërbimi juaj nis me vetëdijen se Republika nuk është dhuratë. Ajo u ngrit mbi përpjekjen shekullore për liri, mbi sakrificën e popullit tonë dhe mbi luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Heroizmi i Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe sakrifica e familjes Jashari mbeten përjetësisht simbol i guximit, i lirisë dhe i vendosmërisë së popullit tonë për të jetuar i lirë. Duhet të shërbeni me krenari dhe me përulje para sakrificës së atyre që e bënë të mundur shtetin.
Historia jonë e re është e lidhur edhe me aleatët tanë. Në çlirimin e Kosovës, në ndërtimin e paqes, në ngritjen e institucioneve dhe në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes, Kosova ka pasur pranë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe vendet mike. Për këtë mbështetje, Republika e Kosovës mbetet mirënjohëse.
Ruajeni besimin e qytetarëve dhe forcojeni bashkëpunimin me aleatët tanë përmes punës, disiplinës dhe standardit që tregoni çdo ditë.
Forca e Sigurisë së Kosovës, së bashku me Policinë tonë, janë institucione që gëzojnë besimin më të madh të qytetarëve dhe ky besim është kapitali ynë më i çmuar. Ruajeni e forcojeni edhe më tej atë, sepse besimi fitohet me profesionalizëm, por ruhet me vlerat e pazëvendësueshme: të besnikërisë, ndershmërisë dhe integritetit.
Në këtë festë të përbashkët, ripërsëris se synimi ynë strategjik mbetet i pandryshuar. Republika e Kosovës i takon familjes euroatlantike dhe anëtarësimi ynë në NATO është objektiv shtetëror dhe interes strategjik i Republikës së Kosovës.
Ky synim lidhet me sigurinë tonë por edhe me orientimin tonë të qartë demokratik, për paqe, sundim të ligjit dhe siguri. Kam bindjen se pikërisht brezi juaj do të jetë ndër brezat që do ta afrojë Kosovën edhe më pranë këtij qëllimi historik, dhe besoj që shumë prej jush do ta kenë privilegjin ta përfaqësojnë Republikën si oficerë të shtetit më të ri anëtar të NATO-s.
Të dashur prindër dhe familjarë,Kjo ditë u përket edhe juve sikurse edhe gjithë neve. Ju keni qenë mbështetja e tyre në çdo hap të këtij rrugëtimi dhe për katër vite, keni ndarë me ta sfidat, mungesat, sakrificat dhe gëzimin e çdo suksesi. Në emër të institucioneve, qytetarëve dhe forcave tona, ju falënderoj për frymëzimin e edukimin që u keni dhënë, për vlerat që u keni përcjellë dhe për besimin që keni pasur tek ata. Sot, bijtë dhe bijat tuaja hyjnë në shërbim të Republikës si oficerë të rinj, me detyrë ndaj qytetarëve, mbrojtjes së vendit dhe paqes.Një falënderim të veçantë dua ta shpreh edhe për profesorët, instruktorët dhe personelin e Akademisë së Mbrojtjes. Cilësia e punës suaj shihet te oficerët që dalin nga kjo Akademi, te dija që bartin, te disiplina që kanë fituar dhe te karakteri që kanë formuar, e ky është një prej investimeve më të rëndësishme që mund t’i bëhet sigurisë së Republikës së Kosovës.
Në fund,Të dashur oficerë të rinj,
Uniforma që vishni nuk ju ndan nga qytetari. Ju lidh më shumë me të. Sepse çdo gradë në FSK ka kuptim vetëm kur vihet në shërbim të Republikës dhe të njerëzve të saj. Nga sot, çdo vendim që do të merrni do të bartë përgjegjësi, çdo urdhër që do të jepni do të ndikojë në jetën e njerëzve, si dhe çdo veprim i juaji do të përfaqësojë identitetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Republikën tonë.Prandaj, shërbeni gjithmonë me nder, udhëhiqni me urtësi, veproni me integritet dhe qëndroni përherë besnikë ndaj betimit që do ta bëni sot.Në emër të Republikës së Kosovës, ju përgëzoj për diplomimin tuaj dhe ju uroj suksese në detyrën tejet fisnike që keni zgjedhur.Qoftë e bekuar rruga juaj në shërbim të Republikës së Kosovës.Urime Klasa 2026!Zoti ju bekoftë juve, familjet tuaja, Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët tanë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë:EN