Speech
Vjosa Osmani  ·  2026-07-01 00:00

Fjalimi i U.D. Presidentes Haxhiu me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Të nderuara shkëlqesi,të nderuar të ftuar,zonja dhe zotërinj,

Sonte shënojmë 250 vjet të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një shifër e tillë mund të kthehet lehtë në ceremoni. Por, në rastin e Amerikës, ajo na kthen te një revolucion që nisi me një pyetje shumë konkrete politike: kush ka të drejtë të qeverisë dhe prej nga buron kjo e drejtë?

Përgjigjja që u dha më 1776 ishte e guximshme për kohën e saj dhe mbetet kërkuese edhe sot. Pushteti nuk qëndron mbi popullin.

Legjitimitetin e merr prej tij dhe duhet të mbahet brenda kufijve të ligjit, përfaqësimit dhe qytetarisë së barabartë.

Sot, këto fjalë janë pjesë e shumë betejave demokratike. Por në historinë moderne ato hynë përmes një revolucioni që sfidoi një perandori.

Shqiptarët e kuptuan herët se parimet amerikane kishin peshën më të madhe pikërisht atëherë kur e ardhmja e një kombi vendosej pa praninë e tij. Në Konferencën e Paqes në Paris, pas Luftës së Parë Botërore, pavarësia e Shqipërisë ishte e ekspozuar ndaj vendimeve të të tjerëve. Presidenti Wilson i dha forcë politike çështjes shqiptare kur tha, thjesht dhe prerë: “Albania ought to be independent” (Shqipëria duhet të jetë e pavarur).

Në atë kohë, shqiptarët në Amerikë kishin krijuar tashmë jetën e tyre publike: organizoheshin, botonin dhe e mbronin çështjen shqiptare para botës.

Në Boston, Fan Noli i dha kësaj historie një peshë të rrallë. Prift ortodoks dhe një nga figurat përcaktuese shqiptare të shekullit XX, ai u shkollua në Harvard, përktheu Shekspirin dhe Servantesin, organizoi jetën publike shqiptare në Amerikë dhe më vonë shërbeu siKryeministër i Shqipërisë. Noli e kuptoi se gjuha mund të bëhej institucion edhe përpara se shteti të ishte mjaftueshëm i fortë për ta mbrojtur atë. Ai ndihmoi që një komunitet emigrantësh të shndërrohej në forcë kombëtare.

Faik Konica, shkrimtar dhe diplomat i mprehtë, i dha kësaj përpjekjeje një peshë tjetër. Ai i kishte përdorur tashmë revistat evropiane për ta paraqitur çështjen shqiptare para botës si realitet politik dhe kulturor. Në Amerikë punoi përmes Vatrës, organizatës që mblodhi shqiptarët nëpër Shtetet e Bashkuara, dhe përmes gazetës Dielli, e cila i dha kësaj çështjeje zë publik. Më vonë, si përfaqësues i Shqipërisë në Uashington, atë zë e çoi në diplomacinë zyrtare. Përmes punës së tyre, Amerika u dha disa prej mendjeve më të fuqishme politike shqiptare të shekullit XX hapësirë publike.

Hasan Prishtina e sjell Kosovën në këtë histori. I lindur në Vushtrri, i shkolluar në Selanik dhe Stamboll, dhe i zgjedhur në parlamentin osman, ai e dinte sa lehtë mund të flitej për kombet e vogla nga të tjerët dhe sa lehtë mund të vendosej mbi fatin e tyre nga të tjerët. Pas Luftës së Parë Botërore, ai i dha zë Kosovës brenda kërkesës më të gjerë shqiptare për vetëvendosje.

Shteti i Kosovës ende nuk ekzistonte. Megjithatë, aty ishte tashmë kërkesa që më vonë do ta përcaktonte historinë e saj moderne: një popull duhet të ketë fjalën e vet për të ardhmen e vet.

Tetë dekada më vonë, kjo kërkesë u rikthye në rrethana lufte.

Kur autonomia ishte shfuqizuar, jeta publike ishte shtypur dhe civilët dëboheshin nga shtëpitë e tyre, e drejta e një populli për ta vendosur të ardhmen e vet nuk mund të mbetej më çështje fjalësh. Nën udhëheqjen e Presidentit Bill Clinton, me Sekretaren Madeleine Albright në qendër të diplomacisë amerikane, Shtetet e Bashkuara qëndruan në ballë të ndërhyrjes së NATO-s, duke i dhënë forcë politike e diplomatike përpjekjes që ndali luftën dhe ia hapi Kosovës rrugën drejt lirisë. Për popullin e Kosovës, udhëheqja amerikane u bë pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse ndryshoi rrjedhën e saj.

Kjo liri u bë Republika e Kosovës. Ajo mori formë në institucione, zgjedhje, gjykata, forca të sigurisë dhe në një rend kushtetues që u përket të gjithë qytetarëve të saj.

Dyqind e pesëdhjetë vjet pas pavarësisë amerikane, ne i nderojmë Shtetet e Bashkuara, para së gjithash, për idenë me të cilën nisën: sepushteti duhet t’i përgjigjet popullit.

Për shqiptarët, dhe për Republikën e Kosovës sot, kjo ide u bë e prekshme përmes historisë. U bë e prekshme kur udhëheqja amerikane ndihmoi që e drejta për liri të mos mbetej vetëm kërkesë, por të bëhej e ardhme.

Sonte, urimet tona vijnë me mirënjohjen e një Republike sovrane. Ne e mbajmë mend se mbështetja amerikane ndihmoi që liria jonë të bëhej e mundur, dhe e dimë se mënyra më e mirë për ta nderuar atë mbështetje është ndërtimi i një shteti të denjë për të.

Miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është rritur brez pas brezi, përmes qytetarëve, institucioneve dhe punës së vështirë për ta mbrojtur lirinë në jetën publike.

Whitman shkroi se Shtetet e Bashkuara janë “poema më e bukur”. Shqiptarët e gjetën herët vargun e tyre në atë poemë: në gazeta, kisha, shoqata, letra, tubime publike dhe në punën e gjatë për ta bërë një komb të vogël të dukshëm para një vendi të fuqishëm.

Këtë miqësi e nderojmë me mirënjohje, me kujtesë dhe me përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet të denjë për lirinë që fituam.Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë:EN